Për të parandaluar një rigjallërim të pandemisë në vend, Italia njoftoi se do të mbyllë kufijtë e saj për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi. Përmes një postimi në Twitter, ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, sqaroi se “Serbia, Mali i Zi dhe Kosova janë futur në listën e vendeve në rrezik”.
“Atyre që kanë qenë atje në 14 ditët e kaluara, u ndalohet hyrja dhe kalimi tranzit në Itali”. “Në botë, epidemia është në fazën më të vështirë. Kujdesi maksimal është i nevojshëm për të ruajtur përparimin e bërë deri më tani”, ka shkruar Speranza.
Mbi 243,000 njerëz janë prekur nga koronavirusi ne Itali dhe 35,000 kanë ndërruar jetë. Numri i të infektuarve ka qenë në rënie në javët e fundit dhe ekonomia italiane është në rihapje e sipër.
