Nga Shqipëria / E Mërkurë 15 Korrik 2020, 15:03

Maskat bëhen të detyrueshme, ja sa do të jetë gjoba për shkelësit

Qeveria shqiptare ka vendosur qe nga sot përdorimi i maskës te jete i detyrueshem në çdo ambient të mbyllur. Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se ky vendim, është një tjetër hap drejt forcimit të masave për frenimin e përhapjes së COVID19.

“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha ambientet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermarketet, tregjet dhe njësitë e shërbimit”, tha Manastirliu ne nje deklarate per mediat.

Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, policia e shtetit, policia bashkiake, strukturat e inspektoriateve shtetërore, do të penalizojnë me gjobë shkelësit. Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lek të reja për çdo thyerje të rregullit. 

“Detyra dhe qëllimi ynë kryesor është ruajtja e shëndetit. Në funksion të këtij qëllimi, kemi miratuar edhe këtë Akt Normativ dhe për të cilin kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Përdorimi i maskës ka një efikasitet të lartë në kufizimin e përhapjes së virusit, mbështetur kjo dhe në rekomandimet e Qendrës Evropiane te Kontrollit të Sëmundjeve, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe e vërtetuar nga eksperienca e shumë vendeve. ‘Sakrifica’ që kërkohet prej jush nuk është mbyllja. Ajo çfarë kërkohet është vendosja e maskës, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të afërmit”, tha Manastirliu.