Prej ditësh, numri i të infektuarve nga Koronavirusi në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Javët e fundit është vënë re dhe një shtim i rasteve në bluzat e bardha, të cilat si rrjedhojë janë kritikuar dhe për papërgjeshmëri.
Kreu i Shoqatës së Infermierëve, Elson Jaçaj ka reaguar me anë të një postimi në rrjete sociale, duke shprehur keqardhje për deklaratat e fajësuese kundrejt tyre.
Jaçaj shkruan se infermierët kanë pasur kontaktin e parë me pacientët e infektuar me Koronavirus dhe janë infektuar duke shërbyer. Sipas tij arsyeja e këtij infektimi ishte mosmarrja e masave për pandeminë, që në momentin kur u ngrit alarmi për virusin.
Ai thotë se spitalet nuk ofronin materialet e nevojshme për t'u mbrojtur dhe personeli shëndetësor nuk ishte trajtuar siç duhej për t'u përballur me Koronavirusin.
Jaçaj shton se higjiena në spitale dhe qendra shëndetësore sot lë shumë për të dëshiruar dhe spitalet nuk kanë as kushtet minimale. Bazuar në këto pika, ai shprehet se nuk është e drejtë që infermierët të fajësohen apo të keqtrajtohen.
