Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar ku javët e fundit ka pasur shtim të pacientëve edhe të moshave të reja. Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Nga dita e nesërme do të përgatitet rihapja e spitalit COVID 2 pra spitalin “Shefqet Ndroqi”. Kështu raportoi nga QSUT gazetari Erjon Skëndaj për “BalkanWeb” teksa tha se ky vendim i fundit vjen pas rritjes së numrit të rasteve të personave të prekur me koronavirus në vend ndonëse nuk është publik zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë.
Numri i madh i shtrimeve, numri i madh në vdekje dhe numri në rritje i personave në moshë të re me komplikacione që shtrohen, nën 50 vjeç janë 3 arsye që po çojnë në këtë zgjidhje.
Pacientët që janë tek “Shefqet Ndroqi” mendohet se do të transportohen tek ish-ambientet e kirurgjisë në QSUT për të cilat shteti investoi për t’i kthyer në spital COVID-3.
