Ditën e djeshme Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino propozoi mbylljen në fundjavë për shkak të shtimit të rasteve me Koronavirus.
Kundër këtij propozimi janë kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj dhe mjeku i njohur Pëllumb Pipero. Të dy nuk rekomandojnë izolim, por respektim të masave nga qytetarët dhe mbajtje të detyrueshme të maskave.
“Para pak javësh u mbyll Melburni në Australi. Unë shikoj si rrezik grumbullimet natën nëpër lokale, më e rrezikshmja janë përqafimet dhe puthet. Njerëzit që s’kanë pasur të infektuar në rrethin e tyre nuk duan ta dinë, ata që kanë pasur janë më të ndërgjegjshëm. Ne nuk duam të kthehemi në izolim, por nëse vijohet me këto ritme nuk do i lëmë njerëzit të vdesin rrugëve. Prandaj që të mos shkojmë aty rekomandohet mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura si dhe higjiena", tha Brataj në News 24.
Ndërsa mjeku Pipero u shpreh: “Nuk e shoh mbylljen në fundjavë si zgjidhe të problemit, as mbyllje të pjesshme nuk do rekomandoja. Rekomandoj respektimin e protokolleve dhe shmangien e lokaleve të natës në bregdet kryesisht. Po të vendoset maska e të ruhet distanca s’ka vend për kthim pas. Virusi nuk bën pushim në fundjave, prandaj them që s’ka zgjidhje tjetër përveç maskës e distancës.”
Si Brataj ashtu edhe Pipero ishin kundër mbylljes së institucioneve kur ka raste me COvid 19. “Kur ka raste nuk duhet mbyllur institucioni, të monitorohen të prekurit, të shkojë në shtëpi”, tha Pipero në News 24.
“Nuk duhen mbyllur institucionet, personat e infektuar të skeduar janë edhe në polici edhe në sistem shëndetësor. Pra të mos dalin nga shtëpitë, të rinjtë e infektuar dalin sikur të mos kenë gjë, por ata janë burim infeksioni”, shtoi Brataj.
