Nga Shqipëria / E Shtunë 11 Korrik 2020, 13:01

U akuzua se njihej me Anisa Josifin dhe u predikonte fëmijëve për Jehovain, flet psikologia e shkollës në Kombinat

Pak ditë më parë një qytetar tregoi se Anisa Josifi i kishte shkuar në shtëpi së bashku me një psikologe shkolle, e cila iu fliste fëmijëve për Dëshmitarët e Jehovait. (Lexo këtu)

Në një lidhje telefonike për emisionin "Me zemër të hapur" në News24, psikologia ka mohuar gjithçka. Ajo është shprehur se nuk e njihte Anisën dhe ka dëgjuar për të vetëm nga televizori.

"Nuk e njoh Anisën, vec nga lajmet e portalet kam mësuar për të. Më vjen keq që i jepni zë këtyre gjërve", tha psikologia.

E pyetur nga gazetarja, Evis Ahmeti nëse beson te Dëshmitarët e Jehovait, ajo tha se ka të drejtë të besojë dhe këtë ia garanton Kushtetuta. Psikologia mohoi t'iu ketë dhënë nxënësve të shkollës libra dhe fletushka, duke vlerësuar faktin që shkolla është laike.

"Nuk besoj që e kanë thënë prindërit e shkollës sime një gjë të tillë. Shkolla është laike dhe unë e vlerësoj dhe e zbatoj këtë ligj. Nëse një prind e thotë ketë le të sjellë prova dhe unë jam gati të përballem", u shpreh ajo.

Teksa pastori i ftuar në studio e pyeti nëse ka shpërndarë materiale në shtëpitë e njerëzve, psikologia e pranoi por duke përsëritur që nuk njihej me Anisën.

"Dëshmitari para teje më tha se është takuar me ty në shtëpinë e tij, ishe duke dhënë materiale tek shtëpia e tij, ishit atje me dy burra, njëri prej tyre i huaj… a është kjo praktikë që e ke bërë?", i tha pastori.

"Nuk e kujtoj rastin…por patjetër që unë e bëj këtë praktikë, por nuk e njoh Anisën", u përgjigj psikologia.

Ajo e cilësoi ngjarjen e Kombinatit si një ngjarje shumë fatkeqe por të mbushur me informacione të pavërteta: "Ngjarja jashtëzakonisht fatkeqe dhe e mbuluar me informacione të pavërteta. Kanë dalë në përfundime të gabuara, ka nisur një fushatë urrejtje dhe persekutimi. Depresioni është një nga shkaktarët kryesor, personat mund të kenë pasur deluzione fetare."

Burimi: "Tiranapost.al"