Në shtëpinë e familjes Josifi, aty ku ndodhi ngjarja e tmerrshme e vetëflijimit, gazetari Andi Bora ka gjetur një recetë dhe një fletë mjekimi nga psikiatri Sadik Lala. Ky i fundit ka dhënë së fundmi një intervistë për Top Channel.
Psikiatri ka treguar se Blerta, e mbijetuara e familjes, ka vuajtur nga çrregullimi depresiv, i cili ka kaluar në çrregullim depresiv psikotik më pas. Vizitën e parë ajo e ka bërë në mars të vitit 2015 dhe ka kryer 4 vizita në klinikën e zotit Lala.
Gjatë intervistës, ai u shpreh se sipas tij shkaktari kryesor që ka çuar në ngjarjen tragjike është depresioni i rëndë, jo feja.
“Është e vërtetë që Blerta ka qenë pacientja ime. Ajo ka vuajtur nga çrregullimi depresiv, i cili ka kaluar në çrregullim depresiv psikotik më pas. Ka filluar si çrregullim ankthi i mirëfilltë. Ka qenë shumë hermetike për shumë gjëra, që kanë ndodhur në të shkuarën. Psikozë kemi, kur personi humbet aftësinë për të gjykuar realisht. Personi humbet fillin e gjërave.
Vizitën e parë e ka bërë në 11 mars 2015. Ka kryer gjithsej 4 vizita në klinikën time. Erdhi e shoqëruar nga e motra. Në shtator-tetor u përmirësua ndjeshëm dhe e lamë të vinte në janar, të 2016-tës. Nga mua u largua në një gjendje të qetë, ushqehej mirë, nuk përdorte më qetësues. E mbaj mend mirë, pasi ishte shumë nën peshë, nga mosngrënia siç duket. 45 kilogramë ka qenë pesha e saj.
Në anamnezë më rezulton, që Blerta kishte përdorur qetësues për 2 vjet, pra nga 2013-ta. Rreziku i antidepresantëve është në ditët e para, 2-3 javët e para, sepse mund të kenë efekte anësore të çfarëdoshme, qoftë edhe mendime për vetëvrasje. Përsa i përket emisioneve televizive ku i mëshohet “Dëshmitarëve të Jehovait”, në një zallamahi e kakofoni gjithologësh, por unë jam profesionist dhe do flas si i tillë, që për mua është kryesore depresioni i rëndë. Një pjesë shumë e madhe e depresionit shërohet. Një pjesë mbahet nën kontroll më mjekime", u shpreh mjeku.
Burimi: "Top Channel"
