Vendi ynë ndodhet në një situatë alarmante prej koronavirusit, me një rritje të frikshme të rasteve të reja dhe numrit të viktimave. Teksa deri në muajin Maj shifra më e lartë e rasteve shkonte 20, që prej Qershorit kjo shifër është ka shkuar në 60, 70, 80 e deri në 90 raste në ditë. E njëjta gjë edhe me numrin e viktimave ku gjatë periudhës Mars, Prill raportoheshin 1 ose 2 viktima, po ashtu gjatë Majit ka patur ditë të tëra pa asnjë viktimë, ndërkohë në Korrik po raportohen viktima çdo ditë.
Roli i qeverisë dhe institucioneve:
1.Hapja u bë me të njëjtat masa që ishin, pra distancimi, maska, matja temperaturës. Mirëpo rezultoi që këto masa nuk ishin mjaftueshëm efektive dhe nuk e bllokuan dot hyrjen e virusit në Shqipëri. Në fillim matej temperatura në aeroport, në port, megjithatë koronavirusi hyri në Shqipëri. Dhe pas 3 muajve izolim, u hapëm me të njëjtat masa si matja e temperaturës që bëhet në biznese e institucione. Por ka rezultuar që pikërisht institucionet dhe vendet e punës janë bërë vatra infeksioni, për shkak se nuk ruhet distanca.
2.Testet nuk u shtuan. Një testim më i gjerë i popullatës do të mund ta vendoste në kontroll virusin. Në vendin tonë testet vazhdohet të bëhen vetëm kur njerëzit janë në gjendje të rëndë ose paraqesin simptoma si probleme në frymëmarrje apo temperaturë të lartë. Familjarët e të afërmit e personave që kanë rezultuar pozitiv dëshmojnë se atyre vetë nuk u është bërë testi nëse nuk paraqesin simptoma.
3.Pavarësisht punës së mrekullueshme të mjekëve, të cilëve u jemi mirënjohës, fakt është se në Komitetin Teknik nuk ka një ekspert të epidemiologjisë. Madje edhe në spitalin Infektiv shërbejnë mjek të fushave të tjera.
4.E qapartë mbetet fakti pse tek Infektivi shtrohen njerëz me probleme respiratore. Pra ajo që duhet të kurohet janë problemet e frymëmarrjes dhe jo infeksioni, i cili deri tani ka rezultuar i pakurueshëm.
Mjeku epidemiolog, Taulant Muka shkruante në një status të tij: "Kur keni hepatit B dhe C, te infektivi shtroheni apo tek sherbimi i gastrohepatologjise? Ju ndjek si specialist infeksionisti, apo hepatologu (specialisti i melçise)? Kur keni komplikacione gripi, te infektivi shtroheni, apo ju ndjek pneumologu dhe specialisti i mjekesise interne? Mos eshte Covid-i Hiv Aids qe shtrimi behet te infektivi dhe mjekimi behet nga infeksionisti? Covid eshte semundje sistemike me komplikacione kryesisht respiratore! Pyesni se kush i ndjek pacientet Covid ne bote kur shtrohen ne spital, sherbimi i infektivit jo nje here!".
5.Edhe pse rastet janë shtuar, ende nuk kemi laboratorë nëpër rrethe për testimet e tamponëve. Pra për të gjithë Shqipërinë, ka laborator vetëm në Tiranë dhe njerëzit nëpër rrethe duhet të presin që të testohen në kryeqytet. Kjo të bën të dyshosh se në rrethe ka më shumë raste sesa deklarohet duke qenë se edhe masat mbahen më pak.
6.Në Shqipëri nuk bëhen studime të mirëfillta shkencore. Akademia e shkencave është inaktive, nuk kemi dëgjuar të bëhet ndonjë studim i ri. Jemi ndër të paktat vende në botë që nuk kemi studime të mirëfillta kërkimore lidhur me koronavirusin. Ndërkohë që shtetet e tjera kanë grupe të posaçme studimi që punojnë për të gjetur zgjidhjen.
7.Vetë spitalet, sidomos QSUT janë bërë vatër infeksioni ku çdo ditë raportohen mjekë e infermierë të infektuar, nga të cilët 2 kanë humbur jetën. Pra as në spitale nuk janë zbatuar masat siç duhet.
Sjellja dhe mbrotja vetjake:
Masat nuk po respektohen, distanca nuk mbahet, maskat nuk vendosen. Shumë njerëz nuk i raportojnë simptomat nëse nuk bëhen keq.
Një pjesë e madhe e njerëzve besojnë në teori konspirative ose nuk besojnë tek ekzistenca e virusit. Këta të fundit janë edhe më të rrezikshëm sepse përpiqen të të mbushin mendjen se virusi nuk ekziston, duke të të prekur e duke të dhënë dorën apo përqafuar. Sipas psikologëve njerëzit që e mohojnë ekzistencën e virusit dhe besojnë teoritë konspirative janë zakonisht njerëzit më të frikësuar që nuk e pranojnë dot të vërtetën dhe faktin që po përballemi me një pandemi globale.
Roli i medias dhe rrjeteve sociale:
Këtu flasim për mediat dhe gazetarët në mbarë botën, të cilët edhe pse e dinë dhe vetë se teoritë konspirative janë mashtrime dhe nuk kanë asnjë bazë shkencore, sërish i publikojnë ato vetëm për audiencë, për klikime, për shikime, për të argëtuar lexuesit. Pa menduar se kjo gjë sjell pasoja për shëndetin e njerëzve.
Edhe në Shqipëri që nga portalet online e deri tek emisionet televizive, u kanë dhënë hapsirë njerëzve të flasin rreth kësaj teme pa qenë të kualifikuar, pa qenë shkencëtarë, pa qenë mjek. Ka patur raste kur në emisione flasin për koronavirusin këngëtarë e artistë sikur të jenë ekspertë duke deklaruar se koronavirusi nuk ekziston.
Pa marrë parasysh të rinjtë të cilët mund t'i shohin të dyja anët, duke qenë se kanë akses në internet, por mosha e tretë, e prindërve dhe gjyshërve tanë mendojnë se çdo gjë që shfaqet në televizor është e vërtetë. Për pasojë besojnë çdo gjë që thuhet dhe nuk mbrohen aspak duke vënë në rrezik jetën e vetë e të familjarëve.
Australia masat i ka hequr brenda vendit, ndonëse kufijtë nuk i ka hapur dhe prej ditësh ka 0 raste. Pse ka ndodhur kjo? Sepse ia ka lënë në dorë vendimet teknike dhe planet mjekëve dhe shkencëtarëve të fushës. Ndërkohë në Shqipëri koronavirusi është përdorur politikisht, mediatikisht, si argëtim, si temë bisede. Madje ka pasur politikanë që kanë deklaruar se virusi nuk ekziston ose është konspiracion e më pas i kanë kthyer mbrapsht fjalët duke kritikuar qeverinë se nuk merr masa. Ndërkohë që vendet ku virusi është marrë seriozisht dhe vendimet i kanë marrë mjekët e shkencëtarët, sot janë me 0 raste.
Si përfundim, hapja e vendit me të njëjtat masa si para dhe pas karantinës dhe pa një plan specifik si nga ana e institucioneve dhe si nga ana e vetë njerëzve, tregon se 3 muaj karantinë ishin humbje kohe, që nuk na shërbyen për të vënë në kontroll koronavirusin./Xing.al
