Nga Shqipëria / E Enjte 9 Korrik 2020, 20:08

A janë maskat detyrim ligjor në Shqipëri? Rakacolli sqaron qytetarët

Zëvendës ministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli ishte këtë pasdite e ftuar në emisionin "Rudina" në Tv Klan. Ajo tha se vendosja e maskave nga qytetarët është e detyrueshme në ambiente të mbyllura. Nëse një biznes gjendet pa maskë, atëherë është objekt penaliteti.

Përsa i përket vendosjes së maskave me detyrim ligjor, Rakacolli tha se kjo po diskutohet në Komitetit e Ekspertëve. Megjithatë ajo shton se nuk të mbron vetëm maska, duhet patjetër dhe distanca fizike.

"Në momentin që u hapën bizneset, në momentin që u rihap aktiviteti dhe nëpër zyra dhe nëpër institucione, u vendosën protokolle. Në të gjitha protokollet po të lexoni, maska është e detyrueshme dhe besoj se të gjithë e provuam se kur u hapën në fillim, nëpër supermarkete nuk të lejonin të hyje pa vendosur maskën, nuk të linin të hyje pa të matur temperaturën dhe po në ato dyqanet e vogla ndodhte po e njëjta gjë, sot ka filluar një çik sikur ka ndryshuar kjo pjesa, pra maska në njëfarë mase është e detyrueshme nëpër protokolle.

Edhe nëse vijnë inspektime dhe nuk të gjejnë me ato, ajo është objekt penaliteti. Praktikisht ajo është. Në rrugë vendosja e maskave në mënyrë të detyrueshme në momentin që ruan distancë, ose je me një person që t’i je i afërt gjithë ditën, kështu që maska nuk është se bën ndonjë punë, nuk ka pse të jetë. Është një problem që ne në Komunitetin e Ekspertëve e diskutojmë, do ketë një vendim të shpejtë nëse do të vendoset ashtu siç e thatë ju në lidhje me qëndrime juridike në ata që nuk do t’a përdorin maskën.

Ka vende edhe në Europë të cilat e kanë vënë  në mënyrë të detyrueshme dhe kanë vënë edhe vlera të larta gjobash. Për shembull në Itali vlera e gjobës është 400 euro. Në ambiente të mbyllura duhet të mbajtur patjetër, por gjithsesi dua të theksoj, nuk është se të mbron vetëm maska. Duhet edhe maska, duhet edhe të ruhet distanca fizike. Pra janë që të dyja të domosdoshme. Nëse vendos maskën dhe pastaj shkon në autobus dhe rri ngjitur me dikë tjetër, nuk është se maska të ka mbrojtur 100%. Meqenëse më pyetët për qëndrim personal unë në një ambient të mbyllur do t’a vendosja patjetër maskën, por edhe do të ruaja edhe distancën fizike. Nuk do t’i besoja vetëm as njërës as tjetrës", tha Rakacolli.