Organizata Botërore e Shëndetësisë pranon se ka prova se koronavirusi mund të përhapet përmes grimcave të vogla të mbetura pezull në ajër. Këtë e bëri të ditur ekspertja e OBSH, Benedetta Allegranzi, e cila në një konferencë u shpreh se nuk mund të përjashtohet përhapja e virusit transmetimi përmes ajrit, në ambiente të mbyllura, të tejmbushura dhe pa ajrosje.
Në një letër të hapur, mbi 200 shkencëtarë akuzuan OBSH se kishte nënvlerësuar mundësinë e transmetimit nga ajri.
“Pranojmë se ka prova në rritje sa i përket përhapjes së koronavirusit përmes ajrit. Mendoj se duhet të jemi të hapur ndaj zbulimeve të reja dhe të kuptojmë më mirë mënyrat e transmetimit dhe masat që duhen marrë”, deklaroi Allegranzi.
Organizata botërore e shëndetësisë rekomandon shmangien e ambienteve të mbyllura e të populluara sa më shumë që të jetë e mundur dhe ajrosje të vazhdueshme të ambientit.
