Hapja e transportit publik po haset me problematika që konstatohen si nga qytetarët dhe nga shoqatat e transportit publik. Kjo e fundit paralajmëron rimbylljen, pasi të ardhurat nuk justifikojnë shpenzimet. “Me këtë numër të reduktuar pasagjerësh që ne kemi, çdo operator ka të ardhura të munguara në fund të ditës, të cilat nuk justifikojnë shpenzimet. Automatikisht kjo të çon drejt rimbylljes”, shprehet për A2 Rixhin Qoshja, kreu i shoqatës së transportit publik.
Qytetarët ankohehen për mosrespektimin e masave të sigurisë ndërkohë punonjës të bashkisë së Tiranës kanë inspektuar në brendësi të autobusëve për vendosjen e maskës.
A2 raporton se qytetarët e Kombinatit që përdorin autobus duket se ishin të ndërgjegjshëm për respektimin e masave të sigurisë, por tek Gjendja Civile dukej qartazi shpërfillja e distancave fizike. Edhe në linjën e Tiranës së Re, vihej re një numër i ulët pasagjerësh, ndërsa duhej më shumë se 30 minuta për të mbërritur autobusi i radhës. Linja e Institutit të Kamzës funksiononte gjithashtu me 50% të kapacitetit. Në Unazë kishte mungesë qytetarësh dhe për rrjedhojë distanca fizike ishte e siguruar.
