Sipas hartës së përditësuar të raportit botëror të drogave 2020, një publikimi i Zyrës së Kombeve të Bashkuara kundër Drogave, Shqipëria renditet e treta në botë për përdorimin e kokainës, në nivele të njëjta me Australinë dhe Kanadanë.
Sipas të dhënave, që për Shqipërinë i referohen ende vitit 2014, prevalenca e përdorimit të kokainës për moshat 15-64 vjeç, që mat përqindjen e personave që e kanë konsumuar të paktën një herë atë, është 2.5%. Britania e Madhe, me të dhënat e përditësuara për 2018-n, ka një prevalencë prej 2.92%, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë këtë tregues në 2.6%.
Për kanabisin, Shqipëria është një përdorues mesatare, me një prevalencë prej 5.4%. Konsumi më i lartë në rajon është në Maqedoni (6.6%), ndërsa në Europë rekordin e mbajnë Franca, Italia, Spanja (10-11%). Në botë, rekord për përdorim të kanabisit mban Izraeli (prevalencë 27%), e ndjekur nga SHBA-të (19.4%).
Për përdorimin e drogave të tjera, si amfitamina, ekstazi, vendi ynë ka një konsum minimal, ndërsa rekordin në botë e mban Holanda.
Një produkt, ku Shqipëria renditet si përdorues relativisht i lartë është ai i qetësuesve dhe sedativëve, me një prevalencë prej 8.5%. Rekordin e mbajnë Çekia (19.5%) dhe Kroacia (17.4%). Në SHBA, prevalenca e përdorimit të qetësuesve është 2.9%.
Burimi: Monitor.al
