Ngjarja e ndodhur në Kombinat, ku nënë e bijë nga familja Josifi u gjetën të vetëflijuara në banesën e tyre, ka tronditur mbarë vendin. Vajza tjetër, Blerta Josifi ia doli të shpëtojë dhe ndodhet në spitalin psikiatrik.
Së fundmi në emisionin "Shqipëria Live" është diskutuar në lidhje me ngjarjen tragjike. Të ftuar ishin pastori Fitor Muça dhe gazetari Bledi Mane.
Pastori ka pranuar se e njihte familjen Josifi dhe për tre vite e gjysmë vajzat kanë frekuentuar kishën që drejton ai "Rilindja". Ai ka shtuar se më pas janë larguar pa thënë asgjë.
“Atëherë unë fola dhe natyrisht mendoj që profesionalisht ai që i thotë këto fjalë duhet të kontaktonte edhe me mua nëse këti gjëra janë të vërteta apo jo. Ndoshta në mendjen e vajzave mund të ketë pasur pakënaqësi, por unë nuk jam në dijeni të tyre", tha pastori.
Mane e ka kundërshtuar duke u shprehur se ka lexuar që vajzat kanë hequr dorë pas pakënaqësive që kishin nga pastori. Ai tha se deklarata e vonuar e Muçës e bën të dyshojë. Gazetari u shpreh se pastori duhet të fliste menjëherë, jo pas pesë ditësh dhe të tregonte si i ka njohur.
'Pastor, pas pesë ditësh tollovatjesh, ju gjeni kohën dhe dilni në publik, vetëm kur ju përmendet emri. Ndërkohë që ju, si person që i njihni vajzat nga afër, i keni trajtuar për aq vite, duhet të kishit nxituar të dilnit të jepnit deklaratë. Vonesa juaj më bën të dyshoj. Ai duhet të dilte të fliste, jo pas pesë ditësh. Të tregonte si i ka njohur. Do nxirrni Bledin fajtor tani që i ka çuar drejt vetëvrasjes", tha Mane.
“Atëherë, ngjarja ka ndodhur ditën e enjte. Unë kam qenë me pushime në Vlorë. Në darkë, marr një mesazh nga një person i kishës që më pyet nëse i kam parë lajmet. Pastaj më sqaroi se bëhej fjalë për vajzat që kishin qenë në Kishën tonë. Nëse një person largohet nga kisha, nuk ka më autoritet mbi atë person dhe nuk mbajmë përgjegjësi për ta. Është sikur një fëmijë të largohet nga shtëpia. Duhet të jetë një dorë e fuqishme, një mendje dhe një zë që i ka stopuar nga e vërteta që i futi në qorrsokakun e asaj që quhet përjetësi. Është e pamundur…Unë kam cituar median dhe portalet. Janë portalet që kanë thënë se i vizitonin njerëz me kostum. Një pastor i një kishe që frekuentohet nga 500 njerëz, nuk mund të kontrollojë se çfarë bën çdonjëri prej tyre", tha Muça.
