Nga Shqipëria / E Mërkurë 8 Korrik 2020, 20:08

Tiranë/ 'Besoj te ringjallja', 52-vjeçarja në gjendje të rëndë refuzon ushqimin prej 6 muajsh

Pak ditë më parë opinioni publik u trondit nga historia e familjes Josifi. Nënë e bijë u vetëflijuan pasi besonin te ringjallja dhe një jetë më e mirë. Pas ngjarjes tragjike, banorët e një pallati në Tiranë kanë njoftuar policinë se një grua tjetër refuzon të ushqehet dhe të dalë nga shtëpia.

Ajo quhet Vjollca, një inxhiniere ndërtimi dhe ka darkuar për herë të fundit natën e Vitit të Ri. Me argumentin që është sëmurë ajo nuk ushqehet. E ëma ka treguar për gazetaren Anila Hoxha, se përgjatë kësaj kohe ajo është ushqyer vetëm me dy fije patina, pak djathë dhe ujë.

E ëma ka shtuar se tre vite më parë e kanë ndaluar të frekuentojë një grup fetar. Vetë Vjollca ka treguar për gazetaren Anila Hoxha se beson te ringjallja, që pas vdekjes kthehesh me një trup të përjetshëm.

"A je me dëshmitarët e Jehovait?", e ka pyetur gazetarja. "Jam sëmurë, po ata persona vazhdojnë më kërkojnë, ata janë të interesuar, sepse muhabeti im në një farë mënyre ka marrë zgjidhje. Prisja zgjidhje që të arrija një besim, me ata persona të arrija besimin tim. Besimi im në një farë mënyre është përhapur, tani ka ngelur te ata persona, se unë e ndjej veten shumë sëmurë. Unë hyra sepse pashë diçka të vërtetë në besimin e tyre, jo plotësisht në atë besimin e plotë që ata kishin, sepse ata besojnë në një farë ringjalljeje të vërtetë, jo vetëm frymore. Besoj te ringjallja, kthehesh, po në një trup të përjetshëm", është përgjigjur Vjollca.

Rasti është referuar në prokurori, që do të vlerësojë nëse gruaja është vërtetë sëmurë apo po përdor justifikime.

Burimi: "Top Channel"