Nga Shqipëria / E Mërkurë 8 Korrik 2020, 10:10

E fundit/ 68 raste të reja sot, humbin jetën dy paciente tek Infektivi

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 397 testime dhe prej të cilëve kanë rezultuar pozitiv 68 persona me Covid-19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjake dhe Lushnje.

Fatkeqësisht, dy qytetare nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19 në spitalin infektiv, ku po trajtoheshin në terapi intensive si pasojë e simptomave të rënda të shkaktuara nga Covid19. Pacientet 58 dhe 59 vjeç nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, nuk mundën të mbijetojnë megjithë përpjekjet e mjekëve dhe terapinë e trajtimit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.

Aktualisht në spitalin Infektiv janë 83 pacientë të shtruar, 10 prej pacientëve janë në terapi intensive, 4 të intubuar në gjendje të rëndë. 

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 47 qytetarë, duke e çuar në 1791 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë aktualisht janë 1232 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Durrës.