Abc News ka zbardhur dëshmia e Blerta Josifit, e vetmja e mbijetuar e familjes nga tragjedia horror që tronditi Tiranën pak ditë më parë. 34 vjeçarja ka deklaruar se së bashku me të ëmën dhe motrën kanë qenë Dëshmitarë të Jehovait që kur ka qenë 18 vjeçe. Më pas frekuentonin Kishën Ungjillore. Po ashtu, Blerta i ka treguar oficerëve të policisë se dy vite më parë ishin shkëputur edhe prej saj.
“Pasi ndërroi jetë Anisa, prisnin ringjalljen e saj. Ato që lexonim në Bibël ia bënim motrës. Kishim besim tek ringjallja e saj. Nëna dhe unë kishin gati 40-45 ditë që nuk ushqeheshim. Pinim vetëm ujë. Edhe atë e merrnin nga çezma dhe e kullonim”, është shprehur Blerta.
Burime zyrtare të policisë konfirmojnë për gazetaren e ABC NEWS Xhensila Kodra, se në shtëpinë e tyre u gjetën dhe sekuestruan vetëm dy Bibla si dhe fleta të tjera të vogla me shkrime dore. Sipas ekspertit, në këto copa letrash janë gjetur thënie të shkëputura nga të dyja Biblat. Në disa prej tyre shkruhej për Besimin dhe Ringjalljen. Ndërsa në disa letra të tjera, lutjet dhe veprimet që nënë e bijë u kishin bërë Anisës.
Burimi: abcnews.al
