Qytetarët e Përmetit dhe miqtë e Zhaneta Josifit tregojnë se ata ishin një familje normale dhe nuk ngatërroheshin me njeri. Ata e përshkruajnë Zhanetën si një grua me rregulla dhe vajzat inteligjente.
“Ngjarje e pazakontë dhe tragjedi e paparë. Unë u shokova kur e dëgjova se i njihja kështu. Ishin në punën e tyre nuk ngatërroheshin me njeri. Ato vajzat ishin inteligjente dhe është e pafalshme që të arrinte deri këtu. Kaq mund të them unë", shprehet për Top Channel një qytetare.
“Që kur zbriti nga fshati këtë punë bëri, shiste këtu. Njeri me norma me rregulla. Unë kam përshtypjet më të mira.”
Gazetarja: Ju shokoi ngjarja?
“Patjetër, nuk gjej fjalë ta them. Më ka dhembur aq shumë dhe bile më dridhet shpirti kur flas. Kjo është e padëgjuar dhe e paparë në botë, as nëpër filma s’kemi parë këto lloj gjërash”
“I kam njohur, i kishim në lagje. Ai ka qenë mësues dhe e shoqja nuk e di ku punonte, por ishte grua shumë e mirë edhe vajzat shumë të mira. Ja unë tani sa erdha u ndeza nga një qiri. Kur kam parë fotografinë atje jam shokuar. Më duket se vajzat kanë qenë tek Alelujah.”
“Qyteti e përcolli shumë keq. Ju erdhi shumë keq të gjithëve. Askush nuk e priste se ata ishin njerëz të nderuar, si i shoqi edhe vetë edhe vajzat. Vajzat të shkëlqyera në shkollë se unë e kam patur vajzën e saj me vajzën time. Kur ishin të vogla e mbaj mend që shkonin tek Alelujah. Pasi vdiq i shoqi mori vajzat dhe u largua”
“Unë me Zhanetën kemi qenë shumë afër, shoqe. Është nga një fshat i Përmetit, banonte këtu, kish’ dy vajza dhe ishte grua shumë e mirë.”
Gazetarja: Çfarë mund ta ketë çuar drejt këtij akti?
“Feja e ka çuar, se në ç’fe është futur nuk e di, një të vërtetë po them, jam dhe e moshuar por të vërtetën po them. Nuk më ka zënë gjumi dhe vemi ku vemi e kemi mendjen atje, si ju ndodhi se e njihnim, grua e përsosur.”
“Një familje shumë e rregullt se unë i kam pasur të dyja nxënëse dhe Blertën dhe Anisën dhe të them të drejtën jemi shokuar. Mund të them për të dyja nxënëset me format të shkëlqyer. Sa kanë qenë në Përmet e di që shkonin te kisha ungjillore dhe ishin vajza të mrekullueshme. Drejtësia duhet të vihet në vend. Nuk e di kush ka ndikuar tek kjo familje sepse në kushte normale nuk do ta bënin. Nuk di ç’të them.”
Burimi: Topchannel
