Nga Shqipëria / E Diel 5 Korrik 2020, 21:09

E tmerrshme/ Publikohen pamjet nga dhoma ku u gjet e vdekur Anisa

Brenda banesës së familjes Josifi kanë mbetur ende gjurmët e tragjedisë. Top Channel ka sjellë sot pamje nga dhoma dhe shtrati ku Anisa Josifi, u dergj e pajetë për muaj me radhë. Fqinjët e pallateve përballë arrijnë të dallojnë me sy të lirë dhomën pas dritareve.

E ëma e Anisës, Zhaneta dhe e motra Blerta, kishin vendosur edhe ventilator, për të larguar insektet dhe kundërmimin e rëndë nga trupi i pajetë i saj. Në këtë shtrat vajza që gjet gjysmë e dekompozuar, lyhej nga e ëma dhe e motra me vaj e uthull, në pritje të ringjalljes së pretenduar.

Policia e Shtetit dhe prokuroria po hetojnë personat që direkt apo indirekt e shtynë Zhanetën të izolohet në këtë dhomë me një të vdekur deri në vetëflijim.

Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije për Top Channel se po hetohet se cili ka qenë sekti apo organizata fetare, ku bënin pjesë tre pjesëtarët e familjes Josifi. Grupi hetimor po analizojnë blloqet, librat, shënimet të cilat kanë përmbajtje fetare ku flitet për vetëflijimin dhe rikthimin në jetë, por mister mbetet ende përcaktimi se cilës fe apo besimi i referohen.