Zhaneta Josifi, 56-vjeç dhe e bija, Anisa, 30 vjeçe u gjetën pajetë në banesën e tyre mbrëmjen e djeshme. Vajza tjetër e familjes, Blerta u dërgua në spital në gjendje të rëndë.
Nënë e bijë u vetëflijuan pasi besonin te ringjallja dhe një jetë më e mirë. Ekspertët bënë me dije se e ndjera Anisa kishte ndërruar jetë kohë më parë. Trupi i saj i pajetë mbahej në shtëpi dhe lyhej me vaj nga nëna dhe motra.
Një nga fqinjet e tyre ka dhënë një intervistë për emisionin "Shqipëria Live". Ajo ka treguar se në momentin që është hapur dera nga policia, aroma e kufomave është përhapur në të gjithë pallatin.
“Jam shokuar kur kam marrë vesh sektin fetar që merreshin. I mendoja vajza me shkollë të lartë, nëna një grua shumë e mirë, e ardhur nga Përmeti, e respektueshme e urtë, engjëllore, tre femra engjëllore. Feja të futet kaq thellë dhe të futet në këtë mënyrë që të sakrifikohet se nesër do të rilindë. Mua më ka vrarë më shumë kjo gjë, kur mora vesh që sekti fetar i Jehovait, ka ndikuar në vetëflijimin e tyre. Janë frymëzuar me një vetësakrifikim se nesër do të rilindë një ditë e re, jo kurrë. Jam e shokuar. Në momentin që është hapur dera, kemi zbritur poshtë nga kureshtja, sepse nuk morëm vesh deri në momentin që doli policia. Kur erdhi policia dhe hyri brenda era u ngjit deri lart, era e dekompozimit të kufomave. Unë jam tmerruar, më ka ardhur kaq keq”, tha fqinja.
