Ka tronditur opinionin publik ngjarja tragjike e ndodhur në Kombinat, ku u gjetën të vdekura në banesë nëna Zhaneta Josifi, 56 vjeç dhe vajza Anisa, 30 vjeç ndërsa vajza tjetër Blerta, 34 vjeç u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore. Të afërmit kanë treguar se nëna e vajzat ishin besimtare të Dëshmitarëve të Jehovait dhe bënin sakrifica shumë të mëdha, që i çuan deri në vetëflijim me besimin se do ringjalleshin.
Por çfarë thonë Dëshmitarët e Jehovait për ringjalljen?
Dëshmitarët e Jehovait besojnë se vdekja është një gjendje ekzistence pa vetëdije. Ata besojnë se vetëm 144,000 njerëz të zgjedhur do të shkojnë parajsë, ndërsa të tjerët do të ringjallen nga Zoti në një tokë të pastruar pas fundit të botës. Besimtarët e Jehovait nuk deklarojnë se nëse një person vetëflijohet, do të ringjallet. Përkundrazi, vetëvrasja është mëkat.
Dëshmitarët e Jehovait thonë se ata nuk janë kult dhe sipas tyre megjithëse individëve u duhet udhëheqje nga Zoti, ata duhet të zbatojnë mendimin e tyre. Por në 1992, studiuesi fetar amerikan J.Gordon Melton i klasifikoi Dëshmitarët e Jehovait si kult.
Nuk është hera e parë në Shqipëri që njerëzit, pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait, tentojnë të vetëflijohen, duke menduar se mund të ringjallen. Por ekziston një faktor social, që shumë shpesh njerëzit që rekrutohen nga kultet janë njerëz vulnerabël, të vuajtur. Kështu shkruan New York Times dhe shprehet doktor Clark, i cili merr shembull si persona të tillë një student që largohet nga shtëpia, një student të stresuar në kohën e provimeve, dikush që ka humbur një mik apo partnerin etj.
"Ata e ngushtojnë vëmendjen e të rekrutuarit në situata të kontrolluara sociale. Ai ose ajo është i ftuar të marrë pjesë në një event të veçantë ose seri klasash dhe duhet t'i ndjekin vazhdimisht. Mbajtja e praktikantëve vazhdimisht në gjendje të lodhur, të privuar nga ushqimet, të privuar nga proteinat, duke punuar orë jashtëzakonisht të gjata në rrugë ose në biznese në pronësi të kultit, mund të shkaktojnë ndryshime psikofiziologjike në tru dhe mund të çojë në gjendje të ndryshuar të vetëdijes", thotë doktor Clark. Një tjetër detaj është edhe fakti që Dëshmitarët e Jehovait mbajnë shënime për të gjithë orët që punojnë duke shkuar derë më derë duke predikuar, si një lloj shenje sesa të devotshëm janë ndaj Jehovait.
Në librin "Fast Facts on Jehovah's Witnesses", nga John Ankerberg, John Weldon shkruhet se: "Psikiatrët dhe të tjerët që kanë punuar me Dëshmitarët e Jehovait shprehen se shkalla e sëmundjeve mendore dhe vetëvrasjeve është shumë e lartë mes dëshmitarëve. Shumë prej dëshmitarëve të detyruar për të marrë ndihmë nga psikiatri, ngurrojnë ta pranojnë faktin se janë dëshmitar dhe kanë frikë të tregohen të hapur me terapistin. Këtë e provojnë disa studime akademike që kanë eksploruar mbi problemet mendore midis dëshmitarëve. Havor Montague, terapist, pasi studioi 102 raste doli në përfundimin se shkalla e problemeve mendore është 10 deri 16 herë më e lartë tek dëshmitarët sesa tek njerëzit e tjerë. Ndërsa psikologu norvegjez Kjell Totland zbuloi se jo vetëm problemet mendore, por edhe shkalla e vetëvrasjes dhe vrasjes është e lartë".
Ndonëse Dëshmitarët e Jehovait nuk predikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëvrasjen për t'u ringjallur, fakti që i vënë kaq shumë theksin jetës tjetër, mund t'i bëjë njerëzit ta mendojnë këtë jetë si të përkohshme dhe zgjedhin të shpëtojnë nga vuajtjet.
Për rrjedhojë nuk është e çuditshme që njerëz të tillë vulnerabël, të cilët kanë humbur dikë apo diçka në jetë dhe janë në gjendje të rënduar psikologjike dhe besojnë për një jetë tjetër më të mirë, të vetëflijohen.
