Një foshnje vetëm 2 muajshe e infektuar me Covid19 është shtruar në spitalin Infektiv dhe aktualisht është në trajtim mjekësor.
Eugena Tomini, Shefja e Inteligjencës Epidemiologjike në Institutin e Shëndetit Publik në një komunikim për emisionin "Wake up", informoi se: "Foshnja ka paraqitur temperaturë shumë të lartë dhe me shenja shumë të pakta respiratore. Foshnja është paraqitur në spitalin infektiv në pediatri për të kërkuar trajtim dhe ndërkohë rasti është nën hetim epidemiologjik nisur nga disa karakteristika të këtij rasti; babai sapo ka ardhur nga një nga shtetet e Evropës dhe ndërkohë po hetohet edhe për lidhjen epidemiologjike të nënës. Një hetim i hollësishëm po bëhet në këtë rast për të dy prindërit pasi foshnja ka qëndruar shumë më gjatë me nënën për shkak se është një foshnje 2 muajshe dhe duke qenë një periudhë e lehonisë kontakti ka qenë më së shumti vetëm me nënën. Pra është në hetim e sipër rasti në fjalë", tha Tomini.
