Përgjatë ditëve të fundit numri i të shtruarve në spital nga Koronavirusi është rritur ndjeshëm. Mirëpo fatkeqësisht jo gjithë të sëmurët e marrin në kohë kujdesin mjekësor. I tillë është rasti i zotit Sulejmani.
Biri i tij, një qytetar i quajtur Luser ka publikuar në rrjete sociale një video tronditëse, me anë të së cilës tregon të atin që po jep jetë pranë tij. Para disa ditësh i ati kishte dalë nga spitali, i shëruar nga Koronavirusi.
Gjatë qëndrimit në shtëpi ai ka pësuar goditje në zemër dhe i biri ka telefonuar ambulancën. Mirëpo, siç rrëfen Luser Sulejmani, mjekët i janë përgjigjur se nuk kishin uniforma dhe pajisje për të shkuar në kohë.
Ai e ka publikuar videon, ku shfaqen pamje tronditëse të të atit, për të bërë thirrje që të merren masa dhe njerëzit të mos vdesin në këtë mënyrë.
"Po regjistroj një video online për të treguar që covidi nuk është një falsitet dhe për të treguar shtetin sot se në çfarë gjendje është. Marr urgjencën, babi nuk e di a ka vdekur apo jo dhe marr urgjencën. Mjekët nuk kanë ndrresa, nuk kanë pajisje thonë që të vijnë edhe të shohin a është gjallë apo ka vdekur një i sëmurë që e kanë nxjerrë negativ nga spitali me Covid. Pra e ka kaluar Covidin, erdhi në shtëpi, ka pësuar goditje në zemër dhe mjekët nuk kanë uniforma për të ardhur në kohë. Po shkon një gjysmë ore që i kam marrë dhe nuk kanë ardhur. I marr në telefon dhe presin nga qendra thonë t'iu sjellin uniformat. E para shpresoj te Zoti që kjo video të bëhet sebep te njerëzit dhe të ndërgjegjësohen njerëzit që taskat e popullit të mos i vjedhin por dhe t'i investojnë te njerëzit që vdesin, të bëhet sebep që nëse ka njerëz që ndodhen në këtë gjendje të merren masa dhe mjekët të mos lihen pa pajisje dhe t'iu gjinden njerëzve në këtë situatë", thotë ai.
