Nga Shqipëria / E Mërkurë 1 Korrik 2020, 17:05

Mjekja: Shqipëria po përjeton pikun e pandemisë dhe ja cili është gabimi që po bëjmë

Mjekja Aurora Meta Dollenberg ishte së fundmi në një intervistë për "Abc News". Ajo foli rreth situatës së Koronavirusit në vend dhe u shpreh se Shqipëria po e përjeton tani pikun e pandemisë.

“Ne po e përjetojmë pikun tani dhe jo atëherë kur u  ndërmorën masat. Personalisht kam përgëzuar masat që u ndërmorën. Kemi dalë nga masat shtrënguese me të njëjtin intensitet siç hymë në izolim, me mendimin që ja dolëm dhe u harrua disi. Popullata duhet të bëj diçka, qeveria duhet të bëj diçka për të ndërgjegjësuar të gjithë strukturat për epideminë”, tha Meta-Dollenberg.

Mjekja u shpreh se në këto momente shqiptarëve iu duket e tepërt disiplina dhe ky është një gabim i përbashkët.

“Vetë ne e kemi karakteristikë që jemi pak emocional, pak disiplina na duket e tepruar dhe zgjedhim ekstremet, ose në liri totale ose në izolim total. Mendoj që është një gabim i përbashkët i të gjithë trojeve shqiptare. Duhet gjetur një zgjidhje inteligjente në të gjitha trevat shqiptare që njerëzit të gëzojnë lëvizjen e lirë dhe të orientoheshin me anë të shigjetave, tabelave dhe përmes sanksionimeve nëse nuk binden në mënyrë vullnetare ndaj rregullave. Maska është një detyrim për ta mbajtur në ambiente të mbyllura, të gjithë duhet ta zbatojmë, e bën gjithë Europa duhet ta bej edhe Shqipëria", tha ajo.