Nga Shqipëria / E Mërkurë 1 Korrik 2020, 13:01

'Nuk kishte sëmundje të tjera', shefi i hematologjisë: Arjani vdiq në duart e kolegëve

Ditën e djeshme mjeku Arjan Pushi humbi jetën për shkak të koronavirusit, ndërkohë që kishte 15 ditë i shtruar dhe 48 orët e fundit i intubuar. 

I ftuar në “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin, ishte i ftuar shefi i hematologjisë në QSUT, Arben Ivanaj, i cili tregoi se Pushi nuk kishte sëmundje të tjera.

“Ishte një humbje e papritur. Nuk kishte sëmundje të rëndë përveç hipertension të nivelit të parë, por ky virus është i pabesë. Ishte një traumë për ne. Ishte traumë për të gjithë kolegët. Por sigurisht një traumë është për familjen e Arjanit. Kishte 15 ditë i shtruar tek Infektivi. Prej një jave ishte rënduar, dhe prej 48 orësh ishte i intubuar. Nuk arriti t’ja dilte. Arjani është pedagog i fakultetit të mjekësisë. Ka gati një vit që nuk punon me të sëmurët çdo ditë në pavion. Por është infektuar në punë. Vendi i infektimit, ku e mori kjo nuk është më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është përkushtimi i tij në punë. Dosja e tij mjekësore nuk mund të bëhet publike. Arjani ka marrë mjekim më të mirë të mundshëm. Ai vdiq në duart e kolegëve, ata kanë thënë na fal Arjan se s’të shpëtuam dot, por këtë e thonë nga dhimbja. Arjani iku, fatkeqësisht na la”, u shpreh Ivanaj.