Nga Shqipëria / E Hënë 29 Qershor 2020, 15:03

Vjen lajmi i madh: Greqia hap kufijtë me Shqipërinë më 1 korrik

Greqia do të çelë kufirin me Shqipërinë në datë 1 korrik. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas. Në një dalje të fundit Petsas konfirmon vendimin e marrë prej qeverise greke dhe sqaroi se hapja e kujfijve për momentin do jetë vetëm tokësore, në pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës.

Ndërkohë dje u bë e ditur se të gjithë ata që duan të udhëtojnë drejt Greqisë për pushime apo arsye të tjera, do duhet të plotësojnë një formular. Pasagjerët që mbërrijnë në Greqi me avion, mjet lundrues apo nga pikat kufitare tokësore, do të duhet të plotësojnë këtë formular të veçantë të paktën 48 orë përpara udhëtimit.

Formulari mund të plotësohet në uebsajtin zyrtar “travel.gov.gr” dhe në bazë të tij pasagjerët do të marrin dhe një barkod special.

Në formular jepen informacione të detajuara si nga vini, arsyeja dhe kohëzgjatja e vizitës, numër telefoni etj. Pas marrjes së barkodit autoritetet greke vendosin dhe lidhur me nevojën e një testi për Covid-19. Nëse bëni testin, duhet të prisni në një hotel deri në rezultatin e tij.

Kjo masë e re është vendosur nga qeveria greke për të frenuar përhapjen e koronavirusit, pasi me 1 korrik do të rihapen të gjitha aeroportet e vendit.