Nga Shqipëria / E Hënë 29 Qershor 2020, 10:10

Të rinjtë po ikin nga Shqipëria, 26% e azilkërkuesve janë minorenë, ja destinacionet e preferuara

Janë të panumërt shqiptarët që për një jetë më të mirë zgjedhin rrugë emigrimi. Një destinacion sa i preferuar, aq edhe i pamundur për shqiptarët që duan të emigrojnë, ka qenë prej kohësh Mbretëria e Bashkuar.

Fatbardh P., bën 5 vite që jeton në Angli dhe ndan jetesën më shokë, që i ka bashkuar i njëjti fat, jetesa në ilegalitet. Për "Monitor" ai thotë se është e pamundur që të bësh letrat në Angli, me përjashtim të martesës. 

Të dhënat e Eurostat për vitin 2019 treguan se aplikimet për azil nga shqiptarët në Londër arritën në 4000, me një kërcim prej 52% në krahasim me një vit më parë. Tani Mbretëria e Bashkuar është destinacioni i dytë pas Francës me numrin më të lartë të aplikimeve, ndërsa krahasuar me vitin 2010, numri i aplikimeve është 10-fishuar. Azilkërkuesit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar përfaqësonin 17% të totalit të kërkesave për azil në BE për vitin 2019 sipas të dhënave të Eurostat.

Franca ishte sërish edhe këtë vit destinacioni kryesor i azilkërkuesve me rreth 9,235 aplikime në total, apo 40% i totalit të aplikimeve të shqiptarëve në Europë. 

Aplikimet në Gjermani kanë rënë sërish për të katërtin vit radhazi, me 2565 aplikime, apo 11% më pak në krahasim me një vit më parë. Pas Francës dhe Mbretërisë së bashkuar, në vend të tretë renditet Greqia me rreth 3055 aplikime në total, edhe pse krahasuar me një vit më pak aplikimet kanë qenë rreth 8% më të ulëta.

Viti 2019 ka shënuar një rritje të aplikimeve edhe në Itali, me gati 21%, duke arritur në 1570 aplikime në total. Aplikimet në Irlandë janë dyfishuar në raport me një vit më parë, duke sinjalizuar kështu një tendencë të re aplikimesh. Në Belgjikë numri i aplikimeve në 2019-n ishte 680, ndjekur nga Suedia me 545 dhe Holanda me 270, të cilët të marrë së bashku përfaqësonin 6% të totalit të aplikimeve.

Rreth 25% e kërkesave për azil nga shqiptarët janë bërë nga individë nën moshën 18 vjeç. Sipas të dhënave nga Eurostat, aplikimet për azil nga minoret në 2019-n ishin 5965 aplikime.

 Në 2019-n, 51% e aplikimeve për azil ishin bërë nga grupmosha 18-34 vjeç. Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 70% e aplikimeve për azil i përkisnin kësaj grupmoshe. Sipas të dhënave të Eurostat aplikimet e grupmoshës 34-64 vjeç përbënin 20% të aplikimeve.

Burimi: Monitor.al