Mjeku Kita Sallabanda ka dhënë së fundmi një intervistë për "ABC News". Ai ka folur rreth situatës së Koronavirusit në vend, duke u shprehur se spitalet në Shqipëri janë kthyer në vatër infeksioni.
Sallabanda tha se duhet të rriten masat dhe QSUT duhet t'i bëjë në mënyrë masive të gjithë personelit shëndetësor testet, tamponet.
“Lirimi i masave duhej bërë në mënyrë graduale. Njëkohësisht duhet të merreshin masa për fluksin, që spitalet në Shqipëri të mos bëheshin burim infeksioni. Spitalet në Shqipëri janë kthyer në qendra infeksioni, dhe kjo është një nga kritikat e mia. Masat duhet të rriten edhe në qendrat spitalore në rrethe, jo vetëm në Tiranë. QSUT duhet t’i bëjë në mënyrë masive të gjithë personelit shëndetësor testet, tamponet", u shpreh mjeku.
Ai tha se në Spanjë, ku ai ndodhet nuk ka pothuajse fare të shtruar në spitale. "Me të dhënat që kam në Spanjë, nuk kemi pothuajse shtrime me COVID-19 në spitale. Dhe e kundërta po ndodh në Shqipëri, diçka nuk funksionon atje, dhe për këtë duhet të merren masa të forta", tha Sallabanda.
