Nga Shqipëria / E Premte 26 Qershor 2020, 16:04

Manastirliu zbulon skenaret: Ja ç'do të ndodhë nëse vazhdon të rritet numri i të infektuarve

Ditën e sotme u raportuan 77 raste të reja me koronavirus. Numri i të infektuarve po rritet ndjeshëm nga dita në ditë, ashtu si dhe numri i të shtruarve në spital.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në spitalin "Shefqet Ndroqi" u shpreh se nëse shtohen rastet e rënda në terapi intensive do të konsiderohet rihapja e tij si spital Covid2.

“Është bërë edhe parapërgatitja për çdo skenar të mundshëm edhe në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ju keni eksperiencën e parë të fituar dhe ajo çfarë do të bëjmë është vijimi I fuqizimit të kapaciteteve të spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ dhe sigurisht mundësia e rikthimit në spital COVID në rast se do të kemi flukse të mëdha në terapinë intensive”, tha ajo.

Po ashtu Manastirliu tha se në spitale Covid mund të kthehen dhe spitalet rajonale, për t'iu përgjigjur pacientëve afër, aty ku jetojnë.

“Ne u angazhuam që të fuqizojmë të gjithë shërbimin e reanimacionit  sidomos në spitalet që kemi vendosur në strategjinë tonë të ofrojmë shërbim për pacientët me COVID19.  Por nga ana tjetër nuk kemi lënë pas fuqizimin e shërbimeve të reanimacionit në spitalet rajonale. Sepse ndërkohë që ju përgjigjemi të sëmurëve me COVID19, duhet t’ju përgjigjemi edhe pacientëve të tjerë, aty ku jetojnë, afër vendbanimit”, u shpreh Manastirliu.