Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ishte së fundmi në një lidhje direkte për "Byro Politike". Ajo foli rreth situatës së Koronavirusit në vend dhe 67 rasteve të reja që u raportuan ditën e sotme.
Bino tregoi se ka pasur dhe raste nga QSUT por megjithatë nuk mund të quhen vatër infeksioni. Ajo u shpreh se këto raste kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë nga ana e personelit mjekësor.
Bino tha se QSUT ka një lloj tangërllëku dhe për këtë arsye nuk i vendosin maskat, ndonëse janë të domosdoshme.
“Në këto 67 raste nuk është vatër QSUT dhe as poliklinika. Ka pasur raste nga QSUT por s’mund të themi vatër. Natyrisht problemi i QSUT ka qenë tepër i rëndësishëm por dua të theksoj që mjekët, punonjësit shëndetësor nuk janë më kot më të rrezikuarit, dhe sfida kryesore është në mbrojtjen e tyre.
Kjo lidhet me edukimin e tyre për tu mbrojtur. Po të ishte kështu do ishin infektuar të gjithë poliklinikat e vendit. Nuk kemi patur grumbullime të stafit që të kemi pasur shpërthim epidemik. Institucioni shëndetësor nuk duhet të jetë një vend ku pacienti shkon për tu kuruar dhe sëmuret.
Kjo ka ndodhur përpara 2 javëve dhe ne jemi përpjekur ta adresojmë së bashku me QSUT e cila ka ngritur edhe një grup hetimi. Tani po përfundojmë bashkërisht hetimin e shkaqeve që kanë çuar në këtë gjendje. Dua të them se problemi kryesor ka qenë moszbatimi i rregullave të kontrollit të infeksionit.
Mos përdorimi i maskës dhe mjeteve mbrojtëse të stafit, QSUT në përgjithësi ka një lloj tangërllëku, më falni që po e them por ndoshta është elita profesorët. Dhe shpesh herë edhe kur ja u kërkon këtë me domosdoshmëri ata nuk e mbajnë, pra mbajtja e maskës është e detyrueshme.
Hyrje dhe daljet që nuk lidhen me të sëmurët nuk duhet të ndodhin, duhet një qëndrim strikt në mënyrë që masat e kontrollit të infeksionit të zbatohen”, u shpreh Bino. /"Abc News"
