Një tjetër rast me koronavirus është regjistruar në qytetin e Fierit bën të ditur Ministria e Shendetësisë. I prekuri me Covid-19 është një i sapoardhur nga Britania e Madhe, i cili ka shfaqur simptomat e koronavirusit në momentin që është kthyer në Shqipëri. Pas shfaqjes së shenjave të sëmundjes, fierakut i është bërë tamponi rezultati i të cilit ka dalë pozitiv.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 347 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19 nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive. Vijon të ketë sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive.
24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë.
