Nga Shqipëria / E Martë 23 Qershor 2020, 23:11

I kërkuan bukë, gruaja dhunohet dhe lihet pa ndjenja nga dy të rinj në Durrës

Bore Uka, një banore në zonën e Plazhit të Durrësit, tregon për emisionin "Stop" se si u përball me agresionin e dy të rinjve në dyqanin e saj në 7 Prill të këtij viti, në kohën kur vendi ishte në karantinë të detyruar.

Rreth orës 23:00 të mbrëmjes, dy të rinj, 15 dhe 30-vjeç, të cilët ajo i njihte, i kërkojnë diçka për të ngrënë dhe ajo hap dyqanin për t’u shërbyer. Në këtë kohë ata e kapin nga fyti, i mbyllin gojën dhe e qëllojnë me grushte e gërshërë, duke e lënë pa ndjenja e duke i grabitur bizhutë, paratë e xhiros dhe telefonin.

"Ai ka ardhur nga pas meje dhe ma ka ngjitur këtu, më ka vënë dorën tek maska dhe më ka zënë frymën. U kacafyta me të, i hoqa dorën që më kishte zënë frymën dhe pastaj më ka kërcit grushti në gjoks. Këtu më ka rrëzuar përtokë. Me atë gërshërën më ka gjuajt ai i vogli, në bark, në gjoks, më ka prerë me gërshërë në mjekër. Në këto momente i thashë jetës lamtumirë, kaq e kisha. Përveç sulmit që më kanë bërë mua, ata më vodhën të gjitha sendet me vlerë. Varësen që kushtonte 1,5 milionë lekë, byzylykë, orë, telefon, unaza, vëthë, 250 mijë lekë që kisha në xhep dhe u larguan…Unë kam mbet pa ndjenja, kam vdekur. Asnjë njeri nuk më ndihmoi.  Pas gjysmë ore më ka ardhur jetë për së dyti. U ngrita vetë, e gjakosur ashtu dhe njoftova vajzën. Ajo telefonoi policinë, më kanë marrë me ambulancë, më kanë çu në Durrës. Në Spitalin e Durrësit maksimumi gjysmë ore sa më kanë bërë skanerin, kanë thënë kjo nuk është për shpëtim. Direkt me kanë dërguar në Tiranë, (Spitali i Traumës) ku kam qëndruar 6 ditë… Vuaj edhe nga diabeti që më shkon 500 edhe nga zemra. Kjo që ndodhi ishte një goditje fatale për mua. Sot pas dy muajsh kam shumë shqetësime. Kam tek dhëmbët, tek kockat e nofullave. Kam dëmtime të gjoksit, shumë të rënda. Kam fryrjen e barkut, nuk e kam pasur kurrë, e ndjej shumë dhimbje. Përveç dëmtimeve fizike më ka lënë edhe me trauma. Kam frikë, po të trokasë ndonjë gjë kam shumë frikë. Kur vjen ndonjë klient e shikoj me dyshim. Policia ka ardhur dhe ka pa kamerat e sigurisë. Dy djemtë po atë natë kishin tentuar të vidhnin edhe diku tjetër, atje kishte rënë sinjali dhe ishin larguar me shpejtësi dhe atëherë kanë ardhur tek unë se i njihja. Policia ka shkuar tek shtëpia e atyre dhe ka dalë babai i tij, i cili u tha se kishte urdhër mbrojtjeje nga ky çuni sepse i rrihte", tregoi Uka.

Bore Uka kërkon ndihmë dhe drejtësi, për të zgjuar institucionet, pasi siç thotë ajo, ato flenë për rastin e saj. Për këtë problematikë, gazetarja e “Stop” komunikoi me shefin e Stacionit të Policisë Durrës Plazh dhe prokurorin. Ky i fundit u shpreh se çështja është drejt përfundimit e në pak ditë do të ketë vendim për agresorët e zonjës. Prokurori mundësoi edhe një takim me viktimën e dhunës, Bore Uka dhe e njohu këtë të fundit me të drejtat e saj dhe gjithçka mund të bëjë për hapjen e një gjyqi civil për dëmshpërblim.

Burimi: tvklan.al