Në një deklaratë për mediat, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaron se me përfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të vijojnë të mbeten në fuqi masat e marra në periudhën e epidemisë, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie. Ndërkohë Komiteti Teknik i Ekspetëve vendosi heqjen e kufizimit për transportin publik.
Manastirliu u shpreh se përdorimi i maskës do të jetë i detyrueshëm për ata që shërbejnë dhe për qytetarët që përdorin transportin publik. Ministrja shton se nuk do të ketë asnjë tolerancë nëse do të konstatohet mosrespektim i këtyre masave.
"Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur heqjen e kufizimit për transportin publik. Pra do të vijojë aktiviteti i transportit publik ndërqytetas, gjithashtu edhe brenda qytetit, por në disa masa dhe protokolle sigurie. Përdorimi i maskës gjatë transportit publik do të jetë e detyrueshme", tha ministrja.
