Sot është dita e përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por epidemia vijon të jetë aktive në vendin tonë. Kështu Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaron se do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në periudhën e epidemisë, nuk do të lejohen grumbullimet, do të vijojë karantinimi i personave që janë të infektuar etj.
"Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballjen me këtë virus të rrezikshëm pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie. Do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes së epidemisë, do vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet, do vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me Covid-19, do të vijojnë të jenë të gjitha masat në fuqi për kufizimin e përhapjes së këtij infeksioni", tha Manastirliu.
Situata epidemiologjike ka pasur një trend rritje ditët e fundit, prandaj ministrja kërkoi rritjen e vetëdijësimit për respektimin e distancimit social dhe përdorimin e maskave.
"Nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim spitalin Shefqet Ndroqi dhe në rast se shifrat do të kapërcejnë këto kapacitete do të hapim spitalin Covid 4 në aksin Tiranë-Durrës. Para kemi përgatitur disa skenarë, por qytetarët janë të lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vëmë në sprovën e mbingarkesës".
