Pak ditë më parë u bë e ditur se dy vëllezërit Budina, Roberti dhe Edmondi janë infektuar nga Koronavirusi. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Twitter.
Së fundmi regjisori, Edmond Budina ishte i ftuar në emisionin "360 gradë" dhe gjatë intervistës ka treguar si është infektuar nga Koronavirusi. Ai u shpreh se gruaja që i shërbente hallës së tij të ndjerë, ishte shtruar në spitalin Infektiv e infektuar nga Koronavirusi.
”Për fat të keq halla jonë, gruaja e Sulejman Pitarkës ishte në spital, doli nga spitali dhe ishte në koma. Ne, të tre vëllezërit iu gjendëm pranë meqë fëmijët e saj janë jashtë shtetit, po ashtu edhe komshinjtë që ishim së bashku me ne.
Ajo ndërroi jetë dhe ne e përcollëm në varreza. Xhovana kishte 6 ditë që ishte me temperaturë, sepse njëra prej grave që i shërbente hallës sonë, u shtrua në spitalin infektiv me koronavirus.
Ajo e trembur kërkoi me insisitim për 6 ditë që të bënte tamponin por askush nuk ia vari. Po ashtu edhe vëllai i dytë Gjergji, dhe ai ishte me temperature askush nuk ia vari ndonëse është me diabet, me infarkt.
Po ashtu edhe tre gra të tjera ishin me temperature dhe mezi ja bënë tamponin. Të gjithë këta që kishin shenja të koronavirusit ishin negativë. Kur ata morën vesh që unë dhe Berti ishim vëllezërit e Gjergjit, insistuan me çdo kusht që të bënim tamponin", tha Budina.
Po ashtu ai tregoi se tamponin e ka bërë ditën e enjte dhe të premten ka zbuluar që është pozitivë. Megjithatë ai ka kërkuar që rezultati të mos bëhej publik.
"Tamponin e kam bërë në orë 18:40 të ditës së enjte, dhe ditën e premte në orën 08:51 minuta më është dhënë rezultati që jam pozitiv.
Përpara se të dilte rezultati i tamponit i kërkova shefes së epidemiologjisë, që sido të jetë rezultati, të mos bëhet publik.
Nuk kaloi as edhe një orë, dhe të gjitha mediat e kishin shpërndarë lajmin. Mbas kësaj, menjëherë kryeministri nxitoi të thoshte si i vinte keq për ne", u shpreh ai.
