Nga Shqipëria / E Hënë 22 Qershor 2020, 14:02

Rrëfehet shqiptarja e martuar me nigerianin: Prindërit nuk ma pranuan burrin për 8 vjet, për ta nuk ekzistonte

Jonida Spahija dhe Nnamdi Nwachukwu (Nuaçuku) janë një çift shqiptaro-nigerian që jetojnë në Washingon DC. Në një intervistë për Rudina Dervishin e Zërit të Amerikës, çifti ndan përvojën e tyre dhe sfidat që sjell një martesë dy-racore.

Jonida tregon se marrëdhënia e tyre u refuzua për një kohë të gjatë nga prindërit dhe familja e saj.

"U rrita në një familje tradicionale myslimane nga Shkodra. Kisha udhëzime të qarta edhe pse të pathëna që të martohesha me dikë nga veriu dhe nga e njëjta fe. Sigurisht, nuk u nisa me synimin të gjeja dikë që do të ishte komplet e kundërta. Gjeta një njeri të mirë me të cilin ndërtova miqësi dhe filluam të dilnim që në kulturën tonë nënkupton martesën (qesh)", tregon Jonida për Zërin e Amerikës.

Nnamdi shprehet: “Nuk më pranuan që isha partneri i saj, derisa lindi vajza. Në atë kohë kishim qenë bashkë për gati tetë vjet. Imagjonini të jësh në një marrëdhënie ku jeton vetëm pesë minuta larg nga prindërit e bashkëshortes, për të cilët unë nuk ekzistoja".

Jonida tregon se u detyrua të bënte një jetë të dyfishtë për të ruajtur marrëdhënie të mira edhe me familjen. 

"Kam vepruar me një mentalitet të heshtur që nuk më shërbeu në aspektin afatgjatë. Në retrospektivë e di që nuk mund ta përsëris atë gabim. Ja ku jemi tani. Të gjithë po i rishikojnë marrëdhëniet racore dhe po i analizojmë në një kontekst shumë më të gjerë se martesa, në shoqëri dhe kudo në realitet”, shprehet Jonida.

Çifti janë prindër të një vajze me emrin Zara. Jonida shqetësohet se Zara do të përballet me një realitet të vështirë për faktin se vjen nga prindër me ngjyrë të ndryshme.

"Ajo është vetëm pesë vjeç dhe që kur ishte dy, dëgjoi komente për flokët që e bënë të ndihej keq apo komente për prindërit e saj me ngjyrë të ndryshme. Ajo i vë re këto gjëra, është fëmijë shumë i zgjuar”, thotë Jonida.

Në fund shqiptarja jep edhe një mesazh:

“Mendohuni dhe kuptoni deklaratat që po bëni, ndikimin që ato kanë. Deklaratat duhet të jenë të bazuara në prova dhe jo në atë pak përvojë që mund të keni patur me një shok apo fqinj me ngjyrë. Thellohuni pak më shumë sepse kjo mënyrë e të menduarit na ka çuar deri këtu dhe nuk na lejon të bëjmë përparim”.