Në mbarë botën janë raportuar 8.981.257 të infektuar nga Koronavirusi. Më shumë se 2 milion e tyre janë vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti me numrin më të lartë të të prekurve (2.342.597).
Të premten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shënuar 30.000 raste të reja, shifra më e lartë ditore që nga 1 Maji. Vetëm në Florida u raportuan 4.049 raste, totali më i lartë ditor që nga rihapja e restoranteve, bareve, palestrave dhe vendeve të tjera publike.
Sipas një analize të "Associated Press" numri i rasteve të konfirmuara në 24 orë është rritur nga 21.400 (vetëm dy javë më parë) në 23.200. Në vendet që kanë hequr kufizimet si Florida, Teksas, Arizonë është rritur dhe numri i jetëve të humbura brenda ditës.
Departamenti i Shëndetit në Florida ka njoftuar se 40 persona të tjerë kanë vdekur nga virusi, duke e çuar numrin e viktimave në më shumë se 3.140.Ndërkohë numri i përgjithshëm i viktimave në SHBA ka shkuar në 122.067.
Zyrtarët shtetëror të shëndetit kanë njoftuar se me rritjen e numrit të të infektuarve është shtuar dhe numri i të shtruarve në spital, por me një ritëm më të ngadaltë. Fatmirësisht në spitale nuk ka mungesë shtretërish.
Burimi: "Daily Mail"
