Ditën e djeshme maturantët dolën në protestë para Ministrisë së Arsimit, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me testin e Gjuhë Letërsisë. Ato deklaruan se kishte pyetje jashtë programit dhe i ka penalizuar.
Një pyetje që mori shumë vëmendje në rrjet ishte ajo që kishte në qendër personazhin Turin. "Çfarë bëri Turi se më iku truri?", shkruhej në pankartat e studentëve.
Pytja ishte: Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të , bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje dhe Turi, i cili fillimisht ishte ndjerë i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkë, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur, ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.
Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?
A) Duke u përqëndruar, Turi u përpoq të kujtonte procedurën e saktë për ta kthyer barkën në një pozicion të sigurt.
B) Ndërkohë, uji i ftohtë i lumit vazhdoi të përplasej në anët e barkës duke i bërë qull Turin dhe miqtë e tij.
C) Turi e dinte që ai dhe miqtë e tij ishin të përgatitur për t’ia dalë në situata të tilla.
D) Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi varkën.
Së fundmi Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi i ka dhënë fund dilemës së maturantëve. E ftuar në A2 ajo tha: "Në mjedisin e provimit kanë qenë disa variante, jo dy. Kanë qenë shumë variante të testit dhe në secilin variant pozicioni i pyetjes ka ndryshuar, po ashtu dhe pozicioni i alternativave."
Vrapi zbuloi alternativën e saktë, e cila është: "Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi varkën."
