Disa ditë më parë u mbajt provimi i Gjuhë-Letërsisë, u cili u shoqërua me protesta të shumta nga maturantët. Sipas tyre provimi kishte pyetje abstrakte dhe jashtë programit.
Një pyetje që mori shumë vëmendje në rrjet ishte ajo që kishte në qendër personazhin Turi. Sot ministrja Shahini ka treguar se mbi 10 mijë maturantë e kanë gjetur përgjigjen e saktë. Ajo shprehet se kjo e thotë qartë që pyetjet nuk kanë qenë me probleme.
"Sapo mbyllëm takimin me përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve mbi temën e nxehtë të provimit të Gjuhës shqipe dhe letërsisë. Ata më përcollën në detaje gjithë shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu më shprehen keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë. Përfaqësuesit i informova për rezultatet paraprake të pyetjeve tashmë të shumë-përfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, që tregonin se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta. Njëkohësisht, i sigurova edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve. Gjithsesi, pjesa më e vlefshme e bisedës tonë ishte kërkesa nga Parlamenti i Nxënësve që mësuesit të përqendrohen akoma më shumë në aftësimin e tyre për njohuri aplikative. Në këtë kuadër, unë u premtova se edhe QSHA do të punojë më fort në përgatitjen e nxënësve për provimet e maturës së vitit të ardhshëm duke botuar më shumë burime përgatitore", ka njoftuar Shahini.
