Nga Shqipëria / E Enjte 18 Qershor 2020, 09:09

Gjirokastër/ Vrau fqinjin për një pelë, autori: E meritoj t'i kaloj vitet e mbetura në burg

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Gjirokastër, kur humbja e një pele, ka qenë shkak për vrasjen e bashkëfshatarit Andrea Xhavara, nga 60-vjeçari Janaq Koleta. Dëshmia e këtij të fundit ka zbardhur të gjithë ngjarjen dhe para uniformave blu ai ka pranuar fajin. "Meritoj të kaloj vitet e mbetura në burg", mësohet të ketë thënë 60-vjeçari në dëshminë e tij në Komisariat.

Gazetari i Report Tv, Piro Nase raporton se sherri nisi gjatë orës së pasdites së djeshme, ku agresori dyshonte se viktima i kishte marrë pelën. Debati ka agravuar, Koleta e ka qëlluar me shkop në këmbë dhe në tentativë për t'u larguar, Xhavara është rrëzuar dhe ka përplasur kokën në një shtyllë druri, duke marrë dëme të shumta në kokë.

"Nuk kam dashur ta vras, por veç ta tremb për atë që unë dyshoj se kishte marrë pelën time. E kam qëllua nga këmbët me një shkop disa herë ne ecje dhe më pas ai u rrëzua tek një shtyllë druri pranë një gardhi ku është dëmtuar në kokë. Hemoragjia ka qenë shumë e madhe dhe e pashë teksa po i dilte shumë gjak. I gjendur në këto kushte jam larguar nën panik nga ajo që bëra dhe nuk dija ku më çonin këmbët. Nuk e kam qëlluar për ta vrarë, por vetëm për ta trembur. Meritoj të dënohem dhe vitet e mia të mbetura t'i kaloj në burg, e meritoj për këtë krim që kam bërë", mësohet të ketë thënë Koleta.

Burimi: Shqiptarja.com