Pandemia e koronavirusit ka që në mars që ka shpërthyer, por tani situata po bëhet akoma më alarmante në vendin tonë. Shifrat janë rritur frikshëm dhe sot Ministria e Shëndetësisë konfirmoi një rekord me 82 raste të infektuar. Pavarësisht shifrave të larta duket se shumë qytetarë nuk po e besojnë më ekzistencën e virusit rreth nesh. "Mashtruesa", "Pse gënjeni?", janë disa nga komentet më të shpeshta që mund të gjesh në rrjetet sociale e që pasqyrojnë mendimin që kanë qytetarët gjatë kësaj periudhe. Për sa kohë që qytetarët ende nuk e besojnë ekzistencën e virusit, gjendja bëhet edhe më alarmante, vigjilenca më e ulët dhe nuk po mbahet aspak përgjegjësi.
Në këtë situatë ndodheshin edhe shumë shtete në fillim të epidemisë dhe sot janë më të prekurit nga Covid-19. Kujtojmë këtu Brazilin ku presidenti kur u pyet për shifrat e larta pak kohë më parë tha "Edhe çfarë?", ndërsa sot ky shtet është në vendin e dytë me 891,556 të prekur nga koronavirusi.
Trump gjithashtu e quajti mashtrim koronavirusin, masat nuk u ndërmorrën menjëherë dhe madje republikanët protestuan kundër izolimt dhe maskave. Sot SHBA është vendi më i prekur nga koronavirusi me 2,182,951 raste dhe 118,283 viktima.
Përmendim gjithashtu Milanon ku në fillim bëheshin festa me temë "Milano nuk mbyllet" ndërsa më vonë koronavirusi i mbërtheu për javë të tëra.
Në Britaninë e Madhe, Boris Johnson propozoi që vendi të mos izolohet sepse sipas tij nga infektimi do arrihej imuniteti i tufës. Më pas Johnson jo vetëm që përfundoi vetë në gjendje të rënduar nga virusi, por i ktheu mbrapsht të gjitha fjalët që tha më parë.
As Bjellorusia nuk e besonte koronavirusin e madje presidenti deklaroi: "Nuk ka viruse këtu. Ke parë gjë viruse duke fluturuar përreth ti?". Sot ky vend ka 54,680 të prekur dhe 312 të vdekur.
Ndërsa Shqipëria ishte një nga vendet që u izolua menjëherë pas shpërthimit të virusit e madje u morëm si shembull për zbatimin e masave. Mirëpo më vonë qytetarët nisën të besonin lajmet e rreme, teoritë konspirative sipas të cilave virusi nuk ekziston dhe sot jemi në rrezik të rikthimit të karantinës. Vendi u hap para kohe, u zhvilluan protesta, grumbullime dhe po rrezikojmë një skenar më të frikshëm sesa i pari. Tani më shumë se kurrë, duhet të jemi vigjilentë, të mbajmë distancën fizike, të shmangim grumbullimet, të mbajmë maskën, të ruajmë higjienën sepse vetëm në këtë mënyrë do mundemi në të ardhmen ta shijojmë lirinë e plotë.
