Mjekja Gjeorgjina Kuli, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve ishte e ftuar në "Abc News" për të folur rreth shtimit të rasteve të reja me Koronavirus në Shqipëri. Ajo u shpreh se ky shtim ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës nga ana e qytetarëve.
Gjatë intervistës ajo tregoi se në Shqipëri janë 88 fëmijë të infektuar që nga fillimi i pandemisë në vend. “Në momentin që flasim kemi 88 fëmijë të infektuar. Të gjithë fëmijët janë infektuar nga kontaktet e familjarëve. Pjesa më e madhe e tyre janë asimptomatikë ose me simptoma të lehta. Asnjë prej tyre nuk është i hospitalizuar”, tha Kuli.
Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se brenda 24 orëve të fundit ishin regjistruar 69 raste të reja me Covid-19, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Numri total i të infektuarve ka shkuar në 1.590.
