Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite ditën e sotme në spitalin e Traumës, u shpreh se sistemi shëndetësor vijon të jetë në gatishmëri për të përballuar situatën e COVID-19 dhe konfirmoi se pavarësisht rasteve të shumta, nuk do të ketë rikthim të karantinës.
Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar se nuk ka kthim pas, por ka nevojë për një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve për të respektuar rregullat.
“Sistemi shëndetësor vijon të jetë në gatishmëri. Ne jemi duke u përgatitur për forcimin e kapaciteteve. Siç bëmë me spitalin e ri karantinë, jemi duke përfunduar përshtatjen e një strukture tjetër brenda QSUT, po fuqizojmë kapacitetet për testimet, ndërsa po forcojmë kapacitetet me aparatura mjekësore për të përballuar situatën.
Ndaj edhe këto 5 autoambulanca që fuqizojnë flotën e Urgjencës Kombëtare dhe 15 respiratorë transporti, e një seri aparaturash jetë shpëtuese do të rrisin kapacitetet e reanimacioneve në spitalet tona”, u shpreh Manastirliu.
Burimi: Abc News
