Në fillim të këtij muaji shteti fqinj me vendin tonë Mali i zi, shpalli fundin e epidemisë. Trupi Koordinues Kombëtar për sëmundjet infektive, me propozim të Institutit për Shëndetin Publik të Malit të Zi, bëri mbylljen përfundimtare të epidemisë në këtë shtet, pasi nuk kishte raste të regjistruara për 28 ditët e mëparshme.
Madje operatorët e turizmit e kanë quajtur Malin e Zi si “Vendi i Parë i Evropës pa COVID-19” në videot që promovojnë bukurinë e tij natyrore, me plazhe që gjarpërojnë përgjatë jugut dhe male të thyer në veri.
Megjithatë sot në Mal të Zi është regjistruar rasti i parë me Covid-19 pas 2 qershorit kur u shpall fundi i epidemisë. Bëhet fjalë për një rast të importuar dhe një person që është në vetizolim, njoftoi sot Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi.
Në deklaratë thuhet se bëhet fjalë për një person që kishte qëndruar në Bosnje dhe Hercegovinë javën e kaluar, ndërsa të dhënat e para tregojnë se numri i kontakteve të personit të infektuar është “minimal”.
