Nga Shqipëria / E Shtunë 13 Qershor 2020, 18:06

A do të rikthehet izolimi? Flet kryeinspektorja: U shkelën masat, nuk do të ketë tolerancë për...

Drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor, Dr. Areti Beruka, e ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, tha se Komiteti i Ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë nuk do të vendosë për rikthimin e masave drastike të izolimit, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.

Beruka theksoi se do të ketë dënime për të gjithë shkelësit e rregullave dhe nuk do të tolerohet asnjë.

“Rregullat janë shkelur, ndaj kemi pasur rritje të të infektuarve. Ne nuk jemi për kthimin mbrapsht, edhe në vendimin e djeshëm të Komitetit. Pra, nuk duhet të kthehemi te mbyllja, por te dënimi i mosrespektimit të masave. Nuk do të ketë tolerancë për shkelësit e rregullave”, tha Beruka.

"Nuk është hequr asnjëherë nga ana e profesionistëve dhe ekspertëve respektimi i masave të distancimit fizik, përdorimi i maskave e dorezave, sidomos në ambiente të mbyllura. Bankat janë e vetmja strukturë, që nuk kanë devijuar në mënyrë kategorike nga protokolli. Ndërkohë shohim të kundërtën te bar-kafetë, restorantet. Nuk e di nga e kanë informacionin këto bar-kafe për të shërbyer në ambientet e brendshme, ndalohet kategorikisht. Lejohet vetëm jashtë shërbimi për kafe, bar e restorant.

Mosrespektimi i masave na çoi në këto shifra. Kjo duhet të jetë sfidë jo vetëm e inspektorëve, policëve, tatimorëve në terren, apo personelit shëndetësor në spital, kjo është një sfidë e përbashkët. Kjo është sfidë e të gjithëve ne", u shpreh kryeinspektorja.