Nga Shqipëria / E Shtunë 13 Qershor 2020, 23:11

Nuk mund të ecë prej disa vitesh, Lorik Cana e surprizon në studio

Sonte në "Dua të të bëj të lumtur" u surprizua Gesardi, një djalë i ri, i cili para disa vitesh kishte zbuluar që vuante nga një sëmundje e trashëguar. Kjo sëmundje i dobësonte muskujt duke e penguar që të ecë normalisht si të gjithë moshatarët e tij.

Në studio kishte ardhur shoqja e tij e klasës, Natalia e cila rrëfeu historinë e Gesardit dhe kalvarin e vuajtjeve me të cilat ai po përballet. Ajo tregoi se kohët e fundit Gesardi ishte ndjerë në siklet për shkak se ishte detyruar të përdorte karrigen me rrota.

Shokët e klasës kishin zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për t’i bërë një surprizë Gesardit. “Kemi kohë që nuk jemi takuar, por dua të të them që ti je shoku ynë më i mirë. Do të jemi gjithmonë pranë teje, mjafton vetëm që të na thuash për çdo problem që do të hasësh", tha Natalia. Nëpërmjet një video-mesazh, shokët e klasës ishin prezentë duke e bërë këtë moment të paharrueshëm për Gesardin.

Programi “Dua të të bëj të lumtur” e surprizoi Gesardin edhe me një video-mesazh nga ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana i cili i tha: “Nëpërmjet kësaj videoje dua të të them që të mos i lësh pas dore ëndrrat e tua dhe gjithmonë mos u dorëzo pavarësisht vështirësive që do të kesh, por qëndro me shpirtin e luftëtarit deri në fund.”