Mbrëmjen e sotme në "Dua të të bëj të lumtur", Shqipja i kërkoi falje nënës së saj për çdo dhimbje që i kishte shkaktuar ndër vite.
Nëna e Shqipes, Suzana nga martesa e parë kishte sjellë në jetë një djalë dhe pas ndarjes kishte vendosur të martohej me Izetin, i cili kishte 5 fëmijë nga martesa e mëparshme. Suzana nuk ishte pritur mirë nga familjarët e tjerë të Izetit dhe nga debatet e vazhdueshme ajo ishte detyruar që të linte djalin e saj nga martesa e parë. Shqipja tregoi se ajo nuk e kishte mbrojtur kurrë nënën në këto debate, madje i kishte dalë kundër duke mbajtur anën e Izetit.

“Mama të thirra për të të kërkuar falje për çdo gjë që, tani vonë e kam kuptuar se ti nuk ke pasur kurrë faj. Më fal që nuk të mbrojta më parë!”, u shpreh Shqipja.
Suzana gjithashtu shprehu dëshirën që të krijonte një urë komunikimi me djalin e saj që ishte detyruar ta braktiste, për t’i kërkuar falje për veprimet që kishte bërë.
