Nga Shqipëria / E Shtunë 13 Qershor 2020, 19:07

Protestë në Shkodër, maturantët paralajmërojnë bojkotim të provimit të ardhshëm

Dhjetëra maturantë të Shkodrës kanë dalë sot në protestë kundër provimit të Gjuhë-Letërsisë. Sipas tyre testi ishte i ndërtuar me pyetje subjektive dhe disa alternativa që ishin përfshirë nuk ishin pjesë e programit mësimor. Maturantët kanë paralajmëruar bojkotim të provimit të ardhshëm nëse Ministria e Arsimit nuk tërhiqet.

"Protesta sot kishte si qëllim me mbledh maturantë sepse ishte një gënjeshtër që na dha Ministria e Arsimit se do të bëhen shumë lëshime për provime, gjë që ishte shumë e pavërtetë. Më vjen keq që jemi pjesë e këtij sistemi të kalbur edhe kur vjen puna tek arsimi, tek puna ose çfarëdolloj fushe. Nuk është e drejtë kjo gjë që po u bëhet maturantëve dhe nuk është e drejtë që zonja që doli aty në televizion dhe foli me të madhe dhe tha se “nuk do të ketë rivlerësim të testit, pasi asnjë nxënës i ekselencës nuk do ta dinte se çfarë do të bënte Turi, si do i shmangej", tha një maturante.

Të pyetur se çfarë kërkojnë maturantët nga kjo protestë, përgjigjja ishte: “Ne kërkojmë drejtësi për provimet, për arsim për çfarëdolloj fushe. Të bëhet ajo që flitet”.

Burimi: Top Channel