Nga Shqipëria / E Premte 12 Qershor 2020, 21:09

Protesta e maturantëve/ Qendra e Shërbimeve Arsimore merr dy vendime të rëndësishme

Ditën e sotme maturantët zhvilluan një protestë, për të shprehur pakënaqësitë e tyre për testin e Gjuhë Letërsisë. Ato deklaruan se kishte pyetje jashtë programit dhe pyetje abstrakte.

Pas protestës, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka njoftuar se janë marrë dy vendime të rëndësishme. Së pari, në përfundim të marrjes së rezultateve, QSHA do të shikojë kurbën e shpërndarjes së pikëve. Nëse do të vihet re zhvendosje e saj atëherë do të shikohet mundësia e ri-shpëndarjes së peshave të pikëve të testit.

Së dyti, është shtyrë kohëzgjatja e dy testeve të ardhshme të maturës shtetërore, nga 2 orë në 2 orë e gjysmë.

Njoftimi:

Qendra e Shërbimeve Arsimore - Njoftim
Qendra e Shërbimeve Arsimore njofton se Testi i Maturës Shtetërore 2020 është mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar. Në lidhje me pretendimin e ngritur për “pyetje jashtë programit”, nënvizojmë se NUK KA ASNJË PYETJE jashtë këtij programi. Në këtë kuadër, ftohen nxënësit të sjellin pranë QSHA ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë këtij programi në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi.

Në lidhje me cut-off-in, në përfundim të marrjes së rezultateve, QSHA do të shikojë kurbën e shpërndarjes së pikëve. Bazuar mbi këtë kurbë, nëse do të vihet re zhvendosje të saj (në rast se ka pasur ndonjë grup pyetjesh me një shkallë më të lartë vështirësie), atëherë do të shikohet mundësia e ri-shpërndarjes së peshave të pikëve në test. I gjithë ky proces do të analizohet profesionalisht dhe në mënyrë të kujdesshme nga specialistët e fushës në mënyrë që të bëhet më e mira për maturantët.
Njëkohësisht, duam të shprehim se testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe mënyra se si hartohet përjashton çdo mundësi që të ketë gabime – qoftë në përmbajtje dhe qoftë në përfshirjen e koncepteve jashtë programit.

Për sa i përket dy (2) testeve të ardhshme të Maturës Shtetërore, bëjmë me dije se ata do të jenë me kohëzgjatje 2.5 orë dhe me alternativa, paçka se edhe kohëzgjatja prej 2 orësh e parashikuar në fillim është më se e mjaftueshme në zhvillimin e provimit.