Maturantët dolën këtë të premte në protestë para Ministrisë së Arsimit kundër provimit të Letërsisë, që u zhvillua ditën e djeshme. Ata deklaruan se janë penalizuar nga testi, i cili ka pasur pyetje jashtë programi dhe pyetje abstrakte.
Vëmendje të veçantë mori një nga pyetjet e provimit, e cila kishte në qendër të saj personazhin Turi.
Pyetja e shumëpërfolur ishte kjo: Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të , bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje dhe Turi, i cili fillimisht ishte ndjerë i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkë, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur, ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.
Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?
A) Duke u përqëndruar, Turi u përpoq të kujtonte procedurën e saktë për ta kthyer barkën në një pozicion të sigurt.
B) Ndërkohë, uji i ftohtë i lumit vazhdoi të përplasej në anët e barkës duke i bërë qull Turin dhe miqtë e tij.
C) Turi e dinte që ai dhe miqtë e tij ishin të përgatitur për t’ia dalë në situata të tilla.
D) Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi varkën.
“Turi mund t’i bënte të katër veprimet”, u shpreh një gjimnazist gjatë protestës së sotme, e cila ka gjetur shtrirje jo vetëm në kryeqytet por edhe ne Berat.
Burimi: Top Channel

