Nga Shqipëria / E Enjte 11 Qershor 2020, 19:07

E fundit/ Kthim në karantinë? Rama jep lajmin e rëndësishëm pas shtimit të rasteve të reja

Përgjatë ditëve të fundit është shënuar rekord i rasteve të reja me Koronavirus në vend. Pasditen e sotme, kryeministri Edi Rama, në një komunikim të drejtëpërdrejtë me qytetarët ka dhënë një lajm të rëndësishëm. Ai u shpreh se nëse situata vazhdon kështu do të detyrohemi të kthehemi sërish mbrapa, prandaj iu bën thirrje të gjithëve të respektojnë masat.

"Numrat e të infektuarve siç e shihni po rriten dhe po ashtu shtrimet në spital. Nëse trendi në rritje vazhdon kështu jo vetëm do na sjellë dëme të rënda në jetë njerëzish dhe në shëndetin e shumë qytetarëve por do të na detyrojë dhe të kthehemi mbrapsht, te karantina. Si do ia bëjmë? Do bëhemi njerëz, siç i thonë llafit dhe të respektojmë ato rregulla të thjeshta apo do ia bëjmë si lopa kur thotë populli, që i bie me shqelm kovës së qumështit pasi e mbush?

Nuk dua të bëhem i bezdisshëm apo të përsëris ato që kam përsëritur deri në mërzi por jam i shqetësuar dhe dua që ta dini se nuk do të bëj sehir  se si shumë e kanë harruar që koronavirusi nuk ka ikur. Prej 3 ditësh kemi më shumë shtrime në spital se në kulmin e tij, nuk dua të lëshojë ofensivën ndëshkimore për bizneset që nuk respektojnë protokollet, e di mirë se sa kanë vuajtur, por nuk kam ndryshuar mendim, ekonomia bie dhe ringrihet, të vdekurit jo.

Nuk dua që ndëshkimet të jenë as për njerëzit moskokëçarës, tani që jemi hapur. E di se sa kanë duruar të gjithë dhe kur solidariteti i pashoqë na nxori faqebardhë, nuk dua ta mendoj karantinën. Nëse vazhdojmë kështu dhe nuk ndryshojmë sjellje që sot dhe numrat e të shtruarve do të rriten, atëherë me keqardhje po realisht nuk do kemi çfarë të bëjmë dhe do duhet të kthehemi nga e para. Prandaj, të thërrasim mendjen dhe të bëjmë gjënë e duhur, e kemi vetë në dorë që të bëjmë gjënë e duhur, të ringrihemi shpejt, të shërohemi nga plagët dhe të bëjmë atë që na takon”, u shpreh Rama.